Ads Inside Post

Trump kërcënon presidentin e Meksikës: Do të sjell ushtrinë amerikane deri në kryeqytet

Presidenti Donald Trump ka kërcënuar, gjatë një bisede telefonike me homologun e tij meksikan, të dërgojë trupat amerikane për të ndaluar “hombret e këqij aty poshtë”, në rast se ushtria e Meksikës nuk merr situatën nën kontroll, sipas një ekstrakti të bisedës, publikuar nga Associated Press.
Ekstrakti nuk bën të qartë se cilët konsiderohen “burra të këqij” nga ana e Trumpit - kartelet e drogës, emigrantët apo të gjithë bashkë – apo tonin dhe kontekstin në të cilin është thënë shprehja e mësipërme. Gjithashtu, nuk përmban as përgjigjen e presidentit të Meksikës, Enrique Pena Nieto.
Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë nuk iu përgjigj ftesës për të bërë komente.
"Keni një tufë burrash të këqij aty poshtë”, i ka thënë Trump Nietos, sipas ekstraktit të parë nga AP. “Nuk po bëni sa duhet për t'i ndalur. Mendoj se ushtarët tuaj kanë frikë. Tanët nuk kanë, kështu që mund t'i dërgoj aty poshtë për t’u kujdesur për këtë punë”.
Një person që ka akses në transkriptimin zyrtar të telefonatës i ka dhënë një ekstrakt agjencisë AP, duke dashur të mbetet anonim, pasi administrata nuk ka dhënë detaje të telefonatës për publikun.
Edhe një gazetar meksikan ka botuar një artikull të ngjashëm të martën në një ëebsite meksikan, ku thuhet se Trump e poshtëroi Nieton gjatë bisedës.
Ministria e Jashtme meksikane e ka mohuar këtë pretendim, duke thënë se ka qenë një bisedë konstruktive midis dy presidentëve, të cilët ranë dakord të vazhdojnë bashkëpunimin e të takohen për të arritur marrëveshje pozitive për të dy vendet.
“Bad hombres”, një përzierje në anglisht e spanjisht për “burra të këqij” është një frazë e përdorur edhe më parë nga Trump. Në tetor, gjatë fushatës, ai premtoi të hiqte qafe nga Amerika lordët e drogës dhe njerëzit e këqij.
Previous
Next Post »