Askush nuk e dëshiron, Kukësi i mbyll derën Muzakës

Kukësi vijon në mënyrë intensive përgatitjet për rinisjen e kampionatit. Ndeshja me Vllazninë do të hapë siparin e dy fazave të mbetura të sezonit, ku objektivi kryesor i verilindorëve është fitimi i titullit kampion.
Për të bërë të mundur marrjen e trofeut në Kukës, drejtuesit kanë afruar në merkato dy futbollistë cilësorë, Simon Rrumbullaku dhe Elton Kale.
Por, a mjaftojnë ata që Kukësi të jetë në lartësinë e duhur për të ruajtur vendin e parë në klasifikim, si dhe për të rivalizuar me Partizanin e Skënderbeun që janë dy ekipe që gjithashtu duan të fitojnë titullin? Përgjigjen për një gjë të tillë e jep vetë presidenti Gjici, i cili, në një prononcim të shkurtër për “Panorama Sport”, mendon se skuadra e tij është e kompletuar dhe gati për fillimin e sezonit të ri dhe natyrisht për të fituar titullin kampion, të cilin Gjici e kërkon me ngulm.
“Mendoj se Kukësi tani është i kompletuar, kjo sipas trajnerit Gjoka, por dhe sipas meje natyrisht që e shikoj ekipin të plotë dhe gati për të rinisur kampionatin”, ka bërë me dije numri një i skuadrës, që gjithashtu i ka mbyllur derën Gjergji Muzakës. Ky i fundit është i lirë dhe trajneri Gjoka e ka kërkuar më herët që ta ketë në skuadër.
Por, nga vëzhgimet që ka bërë stafi i presidentit Gjici për futbollistin, nuk e kanë dhënë konfirmimin që ai të bashkohet me ekipin, për shkak të dëmtimeve të herëpashershme që ka pasur si dhe pagës së lartë që kërkon. “Tashmë ne i kemi mbyllur transferimet”, ka thënë Gjici në lidhje me këtë çështje, duke mos dashur që të komentojë më tej.
Por, pavarësisht se Muzaka nuk do të bëhet pjesë e ekipit, kjo nuk do të thotë që Kukësi mos të përfundojë marrëveshjet e lëna në mes. Bëhet për fjalë për 22-vjeçarin nigerian Kufre Ebong, me të cilin verilindorët kanë arritur marrëveshje që më datë 12 dhjetor, por çështja e letrave dhe e vizës e ka penguar të riun e talentuar t’i bashkohet Kukësit. / Panorama Sport
Share:

No comments:

Post a Comment

Popular Posts

Archive

Sponsor

Featured